Çfarë është KancerInfo?

KancerInfo është një enciklopedi dixhitale për kancerin, krijuar dhe menaxhuar nga Dr. Enver Bislimi, Onkolog dhe mjek specialist i sëmundjeve kanceroze. Të gjitha materialet prodhohen, shkruhen dhe verifikohen personalisht nga Dr. Bislimi, bazuar në eksperiencën e tij të gjerë klinike në fushën e onkologjisë.

Platforma është hartuar për pacientë, familjarë dhe çdo person që kërkon informacion të besueshëm rreth kancerit. Këtu mund të gjeni përgjigje për shumë pyetje që lindin pas një diagnoze.

Pyetjet më të shpeshta pas një diagnoze janë: cilat ekzaminime dhe lloje trajtimi nevojiten, pasojat e trajtimit, aspektet kohore të hetimit dhe trajtimit, dhimbja, cilësia e jetës dhe mundësitë e shërimit.

Bisedat me mjekun do t'i japin përgjigje shumë prej këtyre pyetjeve, por në situata të tilla mund të jetë e vështirë të kuptosh gjithçka që thuhet. Shumë njerëz mbeten me pyetje të hapura dhe kanë nevojë për informacion shtesë rreth sëmundjes.

Njohja e gjendjes shëndetësore të vet jep siguri, e cila bëhet bazë për ballafaqimin me sëmundjen. Njohuria e shtuar mund të ndihmojë që ju të merrni pjesë aktive në vendimmarrje dhe vlerësime që lidhen me mundësitë e trajtimit dhe ndjekjen.

Kanceri është një sëmundje që në njëfarë mënyre prek shumicën e njerëzve — qoftë duke e patur vetë, qoftë kur preket dikush nga familja, një mik apo koleg.